
Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesën e Armando Pezakut për t'u gjykuar veçmas dy të bashkëpandehurve të tij, të akuzuar për trafikimin e 613 kg kokaine kolumbiane në Shqipëri. Pezaku është shoferi i kamionit që transportoi kontejnerin e bananeve ku u gjet droga nga porti i Durrësit në Maminas.
Kërkesa për veçim të çështjes erdhi për shkak të ngecjes së procesit ndaj tij dhe të bashkëpandehurve Arbër Çekaj dhe Donaldo Lushaj prej nëntorit 2019, pas leximit të konkluzioneve përfundimtare të prokurorisë.
Përmes avokatit të tij, Ardian Visha, Pezaku ka pretenduar se të gjitha seancat e mëvonshme janë shtyrë për shkaqe që nuk kanë lidhje me të dhe se ai ka qenë i gatshëm të paraqesë konkluzionet e mbrojtjes prej 5 muajsh. Kërkesa e Pezakut nuk u pranua nga gjykata. Duke e pretenduar qëndrimin të njëanshëm, avokati Visha kërkoi përjashtimin e trupit gjykues.
Në nëntor 2019 prokuroria kërkoi 14 vite burg për biznesmenin Arbër Çekajn, 10 vjet e 8 muaj për Donaldo Lushajn dhe 8 vjet e 8 muaj për Armando Pezakun. (A2 Televizion)