
Policia ka zbardhur atentatin e datës 1 nëntor 2019, ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja. Vënia në pranga të martën, e 29-vjeçarit Arjol Halilaj, ka zbardhur të gjithë mekanizmin dhe se cilët janë personat e përfshirë në atentat. Burime nga policia bëjnë me dije se operacioni i forcave speciale pritet të prangosë edhe dy persona të tjerë, edhe ata të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje.
Halilaj është bashkëpunëtori dhe personi kyç që ka ndihmuar autorët duke i larguar me makinën e tij, pasi ata braktisën në fshatin Shkafanë automjetin me të cilin kryen krimin. Hetuesit kanë arritur të faktojnë me prova përfshirjen e tij ndërsa 29-vjeçari ka dhënë dhe detajet e atentatit, por dhe emrat e personave të tjerë të përfshirë.
Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar, ka lënë në burg 29-vjeçarin, të akuzuar si përkrahës të autorëve të krimit. Ai pritet të dalë për verifikim të masës së sigurisë arrest me burg. I vetmi autor i arrestuar dhe pas hekurave është Redjan Rraja pas gjurmëve të gishtërinjve në një palë syze të gjetura në mjetin e braktisur.
Në atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoja, mbeti i plagosur Aleksandër Laho, si dhe shoferi i prokurorit Andi Maloku. Ky i fundit, ndërroi jetë pak ditë më pas në spitalin e traumës. Autorët u larguan në drejtim të Shkafanës, ku braktisën automjetin tip Benz, të cilin nuk mundën të digjnin dot. Pas këqyrjes nga ana e grupit hetimor, në të u gjendën dy maska, lëndë djegëse, dhe dy kallashnikovët e përdorur në atentat. (A2 Televizion)