
Politologu Afrim Krasniqi, i ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, teksa u pyet për ngjarjen e rëndë të sulmit ndaj Sali Berishës në protestën e opozitës këtë të martë, u shpreh i shqetësuar për atë që mund të vijë pas kësaj ngjarje.
Ndërkohë, ai shprehur një tjetër shqetësim, teksa foli për komentet e bëra nga qytetarët e thjeshtë në rrjetet sociale. Krasniqi u shpreh se ka një polarizim ekstrem dhe për të, shoqëria shqiptare, në thelb, është komuniste.
“Akti ishte i dënueshëm dhe akti sjell pasoja. Frika ime është pasoja që do të ketë në shoqërinë shqiptare. Unë kam ndjekur sot komentet e qytetarëve të thjeshtë dhe kam parë një polarizim ekstrem. Kur lexon atë gjuhë e kupton se pse Shqipëria ndodhet në këtë ditë. Shoqëria shqiptare është shoqëri komuniste në thelb, është shoqëri bardhezi, është shoqëri, e cila e shikon kundërshtarin si armik të vendit dhe të interesit publik dhe është i gatshëm ta eliminojë kundërshtarin politik.
E gjitha që ne themi, ky vend është maturuar, ka elita politike, ka njerëz të lexuar, analistë të përgatitur, nuk kanë asnjë pikë vlere. Kjo është një kërcënim i madh dhe kjo mua më shqetëson”, u shpreh Krasniqi. (A2 Televizion)