Komisioni Zgjedhor hap listat e anëtarësisë, 75 mijë anëtarë ndahen në 76 komisione

Nga A2 CNN
11 Qershor 2021, 13:58 | Politikë
Komisioni Zgjedhor hap listat e anëtarësisë, 75 mijë

Komisioni Zgjedhor hapi sot listat e anëtarësisë së PD-së për votimet e së dielës, në prani të përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar të PD-së.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor, Jemin Gjana, bëri të ditur se, pas hapjes së  sistemit, degëve do t’u dërgohen listat e vulosura dhe me firmën e anëtarëve të Komisionit, përfshi dhe kandidatëve për kryetar të PD-së.

Në lista janë emrat e 75 067 anëtarëve të PD-së, të cilët ndahen në 76 komisione votimi.

 “Në pesë degë që kanë nga dy komisione bëhet një ndarje afërsisht e barabartë e numrit të anëtarëve. Kemi përgatitur zarfet për secilin prej komisioneve. Janë 76 zarfe në të cilat do të fusim listat e votimit të 76 komisioneve të votimit. Do t’i mbyllim, do t’i vulosim, dhe do t’i firmosim, secili, Kryetari dhe Sekretari i komisionit, detyrimisht dhe secili prej kolegëve anëtarë dhe përfaqësues të kandidatëve të këtij Komisioni, firmën mbi këto zarfe te pjesa që mbyllet”, deklaroi Gjana.  

Zarfet, bashkë me materialet e tjera zgjedhore, do të shpërndahen nesër dhe do të hapen në orën 08:00 të ditës së diel në prani të Komisionit, në momentin që fillon procesi i votimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos