Pavarësisht lejimit të transportit të mallrave në këtë periudhë të pandemisë botërore të koronavirusit, bizneset shqiptare po hasin probleme të mëdha me importin e lëndëve të para.
Në Anketën e Këshillit të Investimeve, 55% e kompanive të pyetura janë përgjigjur se kanë pasur probleme në furnizimin me lëndë të parë nga importi, nga të cilët 69% mendojnë se kjo do të ndikojë në vijimësinë aktivitetit të tyre.

Bizneset raportojnë se kryesisht problematika ka pasur me importet nga vendet e Bashkimit Europian. Burime nga Këshilli i Investimeve bëjnë të ditur për A2 CNN se në kuadër të evidentimit të kësaj problematike, po shihet mundësia e sigurimit të lëndës së parë në vend. Për këtë arsye, pritet që komuniteti i biznesit t’i paraqesë qeverisë edhe disa kërkesa për incentiva, çka do të ndihmonte furnizuesit vendas të lëndës së parë, por edhe kompanitë importuese, që do të ulnin varësinë nga tregjet e huaja. (A2 Televizion)