
Për takimin e Partisë Demokratike me aleatët ditën e hënë dhe planet e së ardhmes të opozitës së bashkuar, foli në A2 Nard Ndoka, kreu i Partisë Demokristiane.
Ndoka theksoi se Edi Rama duhet t’i kishte dhënë një mundësi qytetarëve në këtë situatë të krijuar duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, me votë qytetarët do t’i vendosnin një notë qeverisjes së Ramës, do të zgjidhnin fajtorin për mos-hapjen e negociatave, por do të ishte edhe një zgjidhje për krizën aktuale politike në vend.
A do të ketë paqe edhe pas datës 18 tetor?
“Ishte goditja më e rëndë që i është dhënë Shqipërisë në këto 30 vite pluralizëm. Gjykoj se duhet të kishte një reflektim të thellë nga ana e kësaj mazhoranca, në mënyrë të veçantë nga ana e Kryeministrit për të marrë përgjegjësitë. Ka një fajtor dhe është pikërisht kjo mazhorancë dhe Edi Rama për mosrealizimin e kërkesave nga BE. Një përballje me qytetarët për të përcaktuar fajtorin në këtë proces, për të pasur edhe një notë për qeverisjes e Ramës, për ta zgjidhur edhe krizën politike, besoj se ishte e momenti i duhur për ta bërë një lëvizje të tillë politike. Zgjedhjet e parakohshme ishin i vetmi solucion në këtë situatë”.
Si do të bindet Rama nga opozita e bashkuar?
“9 pikat e Bundestagut janë të detyrueshme për të, e kanë vendosur në këto shina. Ai është i detyruar për të vazhduar këtë agjendë. Ne nuk patëm një po nga Gjermania. Ne patëm një jo nga Gjermania me disa kushte. Ne i kemi vlerësuar këto 9 pika. Padyshim që kjo është edhe kauza jonë, agjenda e opozitës. Ne jemi të gatshëm të japim kontributin për realizimin e tyre. Këto i japin edhe zgjidhjen përfundimtare.
Agjenda e opozitës së bashkuar...
“Jemi të vendosur për të dhënë kontributin tonë në reformën zgjedhore. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi një reformë zgjedhore edhe për organizimin e zgjedhjeve lokale. Pa diskutim që ato do të përsëriten. Do të ishte krejt normale që këto zgjedhje të bëhen së bashku me zgjedhjet parlamentare, si një zgjidhje për krizën”.
“Zgjidhja e krizës do të vijë nga brenda institucioneve”
“Ne po përpiqemi të japim një kontribut në mënyrë institucionale. Ne e mendojmë zgjidhjen e agjendës nëpërmjet kësaj agjende dhe padiskutim që do të shohim edhe lëvizjet e Ramës. Për herë të dytë, Rama tregohet i papërgjegjshëm me gjermanët. Edhe me zgjedhjet e 30 qershorit ka një ndërthurje mes Presidentit të Republikës dhe Bundestagut gjerman. Është një debat zyrtar i bërë dhe besoj se Rama ka dalë shumë keq në premtimet e tij ndaj faktorit ndërkombëtar sa i përket 30 qershorit. Zgjidhja do të vijë brenda institucioneve”. (A2 Televizion)