
Azerbajxhani ka vënë nën akuzë dy prej ushtarëve të tij për gjymtimin e trupave të ushtarëve armenë, gjatë konfliktit të fundit në rajonin e Nagorno-Karabakh.
Ushtarakët akuzohen se kanë filmuar veprimet e tyre të dhunshme dhe i kanë postuar më pas pamjet në rrjetet sociale. Gjithashtu, dy ushtarë të tjerë u arrestuan nën akuzën se shkatërruan një varrezë që iu përkiste armenëve.
Prokurori i Përgjithshëm azer, në një deklaratë për shtyp, u shpreh se veprimet e këtyre ushtarëve ishin kundër asaj që ai e quajti “mentaliteti i popullit azerbajxhanas”.
Ditët e fundit, Azerbajxhani dhe Armenia kanë rënë dakord për shkëmbimin e të burgosurve gjatë konflikti, i cili për disa javë shkaktoi qindra viktima. (A2 Televizion)