Kongresi amerikan, arrihet ujdia. 900 miliardë dollarë për të ndihmuar ekonominë

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2020, 12:01 | Bota
Kongresi amerikan, arrihet ujdia. 900 miliardë dollarë për

Pas disa muajsh përplasje, ligjvënësit amerikanë u dakordësuan mbi një paketë prej 900 miliardë dollarësh, për të ndihmuar ekonominë e goditur nga pandemia.

Kongresi synon ta përfshijë paketën në një projektligj shpenzimesh prej 1,4 trilionë dollarësh, që do të financojë qeverinë deri në shtator 2021. Mitch McConnell tha: “Ndihma po vjen. Pas konsultimeve me komisionet përkatëse, 4 liderët e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve finalizuan një marrëveshje. Do të ketë një tjetër paketë shpëtimi për popullin amerikan, i cili nuk do të jetë vetëm në luftën kundër koronavirusit”. 

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe lideri i pakicës në Senat, Chuck Schumer, të dy demokratë, thanë se paketa do të mundësonte fondet jetësore për të shpëtuar jetët e qytetarëve, ndërsa përhapja e virusit përshpejtohet.  

Paketa është stimuli i dytë më i madh ekonomik në historinë e SHBA-së, pas atij prej 2,3 trilionë dollarësh të miratuar në mars. Ajo parashikon 600 dollarë pagesa direkte për individët, rritjen e pagesave të papunësisë me 300 dollarë në javë dhe mbështetje prej 300 miliardë dollarësh për bizneset e vogla, shpërndarjen e vaksinës etj.

Marrëveshja u arrit mes përshkallëzimit të pandemisë në Shtetet e Bashkuara, ku më shumë se 214 mijë njerëz infektohen mesatarisht çdo ditë. Mbi 316 mijë amerikanë kanë humbur jetën nga koronavirusi deri më tani.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos