Kontrollohet nga protestuesit, Trump grindet me kryebashkiaken

Nga A2 CNN
12 Qershor 2020, 18:24 | Bota
Kontrollohet nga protestuesit, Trump grindet me kryebashkiaken

Shefja e policisë së Seattle, Carmen Best kritikoi hapur liderët e qytetit në një video drejtuar anëtarëve të departamentit. Ajo thotë se evakuoi çerekun e personelit nga godina në qendër të qytetit, pasi ajo zonë është pushtuar nga protestuesit, të zemëruar për vdekjen e George Floyd. Disa po e quajnë këtë territor të Capitol Hill, një zonë autonome.

“Për fat të keq, qyteti pati plane të tjera për godinën dhe u dorëzua përballë presionit të ashpër publik. Jam e zemëruar për gjithçka që ndodhi”, tha Carmen Best, shefe e Policisë së Seattle.

Presidenti Trump i quajti protestuesit “terroristë vendas”, duke iu drejtuar Guvernatorit të Uashintonit, Jay Inslee dhe kryebashkiakes së Seattle, Jenny Durkan me një status në Twitter:

“Kontrolloni qytetin tuaj. Nëse nuk e bëni ju, do ta bëj unë”. Zyrtarët iu kundërpërgjigjën.

“Nuk kemi nevojë për askënd, përfshirë presidentin, që të mbjellë përçarje dhe dezinformim. Kërcënimi për të pushtuar Seattle që nxit dhunë e përçarje në qytetin tonë jo vetëm që nuk është i mirëpritur, por dhe i paligjshëm”, u shpreh Jenny Durkan, Kryebashkiake e Seattle.

Ndërkohë, në një event në Dallas, presidenti zbuloi një plan për të adresuar shqetësimet në rritje për policinë.

“Po finalizojmë një urdhër ekzekutiv që do të nxisë departamentet policore në të gjithë vendin që të përmbushin standard profesionale në përdorimin e forcës, përfshirë taktikat kundër përshkallëzimit”, tha Trump. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos