
Një koran në tavë, është një prej disa arsyeve se përse mijëra vizitorë zgjedhin Pogradecin, për të kaluar pushimet. Nga ana tjetër, peshkimi dhe tregtimi i koranit siguron të ardhurat e dhjetëra qindra familjeve të tjera në Pogradec.
Por ekzistenca e këtij peshku në liqenin e Ohrit tanimë nuk i dedikohet vetëm natyrës. Një nga njerëzit që e ka pasion përveçse detyrë shtimin e koranit është Çelnike Shegani, e cila prej 30 vitesh punon në qendrën e rritjes së rasatit të koranit në Lin.
Teksa është në prag pensioni ajo thotë se kjo punë është sa e bukur aq edhe e vështirë. Pasi krahas dijes duhet të të shoqërojë pasioni ose në të kundërt e gjithë puna dhe peshku shkon dëm.
Specialistja thotë se nevoja për një qendër të tillë u pa kur po pakësohej sasia e koranit në liqen dhe pas eksperimenteve rezultoi se ishte e suksesshme dhe sot në liqen hidhen çdo vit 1.5 milionë rasat të rinj.
Vitet e fundit tashmë korani nuk është më një specie në zhdukje. Ndërsa nevojitet që ashtu si Shqipëria procesin e pasurimit duhet ta bëjë edhe Maqedonia e Veriut e cila sipas informacioneve nuk e bën prej 4-5 vitesh. (A2 Televizion)