
Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë dhe drejtues i deleguar politik në Qarkun e Shkodrës, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se “bazuar në shifrat e sëmundjes dhe të fataliteteve, Shqipëria ia ka dalë ta administrojë mjaftueshëm mirë të gjithë situatën e pandemisë” dhe, sipas tij, “ia ka dalë të mos krijojë boshllëqe të mëdha në pjesën tjetër të sistemit shëndetësor”.
Por, Beqaj nënvizoi se organet e tjera, që nuk kanë lidhje me shëndetësinë, mund t’i kishin bërë më mirë gjërat në këtë periudhë.
“Organet fiskale duhet të kishin ushtruar kontroll më të mirë në shërbime apo mallra të ndryshmë që lidhen direkt apo indirekt me pandeminë. Për shembull, siç ndodh në fundvit, që ka kontrolle nëse portokalli shkon nga 150 lekë në 200 lekë. Mund të kishin bërë më shumë edhe organet policore, por e di që kjo është e vështirë, pasi nuk mund të kesh nga një polic për çdo qytetar”, shpjegoi Beqaj.
Sipas tij, “qytetarët nuk janë ndërgjegjësuar” për mbajtjen e maskës dhe për këtë, faj ka edhe politika: “Që nga tetori, policia vijon të vendosë shumë gjoba për mosmbajtjen maske, edhe pse kanë kaluar 55 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit. Këtu, mendoj se ka luajtur rol negativ edhe mungesa e koherencës në klasën politike shqiptare. Figurat e rëndësishme të jetës politike kanë dhënë shembull negativ”.
Kur u pyet në lidhje me akuzat e opozitës për fshehje të shifrave të viktimave, Beqaj u shpreh: “Akuzat për shifrat e viktimave kanë qenë lojë e pastër e një politike të rëndomtë të opozitës. Unë e kam dhënë publikisht përgjigjen kur kam krahasuar numrin e fataliteteve të vendit tonë me vendet e tjera. Ne e dinim që në tetor se do të kishte rritje shifrash, siç ka në të gjithë botën. Kjo ishte prirja e pandemisë. Akuzat ishin qesharake dhe u përdorën për politikë të ulët. Ne kemi opozitën më të papërgjegjshme nga çfarë kam ndjekur unë në Ballkan dhe Italinë fqinje”.
Sa i përket vetëvrasjeve, Beqaj nënvizoi se kemi të bëjmë me “një sëmundje, e cila në kushtet e kufizimit të oksigjenit në organizëm, krijon shqetësime në aparatin nervor, që mund të shoqërohen me fatalitete”. (A2 Televizion)