
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bën apel për kujdes dhe përgjegjshmëri për të përballuar situatën nga koronavirusi, pas konfirmimit të 2 rasteve të para në vendin tonë.
Sipas Lulzim Basha nuk është koha për panik dhe ftoi qytetarët të zbatojnë rregullat për higjienën dhe të kufizojnë udhëtimet
“Asnjë vend nuk është imun ndaj rrezikut të koronavirusit, dhe tani që kemi rastet e para të konfirmuara edhe në Shqipëri, është më e rëndësishme se kurrë që të gjithë të reagojmë me kujdes dhe me përgjegjshmëri.
Të gjithëve do na duhet të bëjmë sakrifica në mënyrë që të luftojmë përhapjen e virusit: të kujdesemi shumë për higjienën tonë personale, të kufizojmë udhëtimet dhe nëse nuk ndihemi mirë të rrimë në shtëpi. Sot nuk është koha për panik, por për masa të shpejta dhe të vendosura”, shkruan Lulzim Basha.
Në kuadër të masave kundër koronavirusit, kreu i PD-së, Basha anuloi dhe dy aktivitete që ishin parashikuar të mbaheshin gjatë pasdites të së hënës në Kalanë e Tiranës dhe me mësuesit. (A2 Televizion)