
Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot me 72 vota pro dhe asnjë kundër projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike nga COVID-19, i cili pas dekretimit nga presidenti i Kosovës, do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2021.
Në një konferencë për mediat pas miratimit, kryeministri Avdullah Hoti tha se ky projektligj do të gjenerojë miliona investime. Sipas tij, janë 212 mln euro që mund të tërheqin qytetarët, përveç heqjes së TVSH-së për lëndën e parë dhe lehtësirave për bizneset.
“Me ligjin që u miratua në Kuvend janë 212 mln euro që mund të tërheqin qytetarët. 200 mln euro në buxhetin e Kosovës për biznesin, 20 mln euro për punëtorët që humbin vendet e punës, heqja e TVSH për lëndën e parë për prodhuesit vendorë, lirimi nga interesat dhe ndëshkimet për të gjitha kompanitë për vonesat në pagesa. Ulja e TVSH për gastronominë me 8% dhe fondi për garantim të kredive për mbulimin deri në 80% të kolateralit për kreditë që marrin bizneset private. Do të gjenerojë miliona investime. Është bërë një punë e madhe. Me këtë ligj ne fusim në ekonomi 560 mln euro direkt dhe indirekt. Kosova renditet në mesin e vendeve me pakon më të madhe ekonomike krahasuar me vendet e tjera".
Ndërsa dha detaje rreth procedurave që qytetarët duhet të ndjekin për t’i tërhequr paratë, Hoti theksoi se me këtë projektligj zbatohet pjesa më e madhe e programit për rimëkëmbje ekonomike.
“Pas 8 ditësh, do të hapet sistemi online, me procedura shumë të thjeshta. Jam shumë i kënaqur që përmes miratimit të këtij ligji e zbatojmë pjesën më të madhe të programit tonë për rimëkëmbje. Gjatë këtij viti janë shpërndarë deri tani 230 mln euro për biznese dhe qytetarë, përfshirë 60 mln që janë paguar dy javë para dhe fond të veçantë për gratë në biznes”.
Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka përkrahur këtë projektligj, pasi sipas saj ka defekte të mëdha dhe thellon pabarazinë. (A2 Televizion)