
Studiuesi Afrim Krasniqi, në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, komentoi situatën në partinë më të madhe opozitare në vend, duke u shprehur se asnjë prej palëve nuk po sakrifikon për të shkuar te zgjidhja, edhe pse sipas tij e dinë se kush është zgjidhja.
“Është shumë e habitshme sesi politikanët e opozitës, të cilët e kanë drejtuar këtë vend për shumë vite e dinë kush është problemi dhe kush është zgjidhja, por asnjëri prej tyre nuk sakrifikon për të shkuar te zgjidhja. Alibeaj është i komanduar dhe në dijeninë time, asnjë i komanduar nuk ka kompetenca as për pezullim dhe as për akte të tilla”, tha Krasniqi.
Më tej, studiuesi theksoi se nuk është një pjesë e opozitës që i shërben Ramës. Sipas tij, të gjitha palët i shërbejnë kryeministrit nga mënyra sesi sillen.
“Unë nuk mendoj se ka pjesë të opozitës që i shërben Edi Ramës, ashtu siç e dëgjojmë në mënyrë të vazhdueshme. Unë mendoj se të gjitha palët në opozitë, nga mënyra sesi sillen, i kanë bërë shërbimin më komod kryeministrit të Shqipërisë sepse praktikisht e kanë pamundësuar ekzistencën e opozitës në Shqipëri”, tha Krasniqi. (A2 Televizion)