
44 vota pro, në një garë me 41 anëtarë. Kjo ndodhi në Asamblenë e Shoqatës Rajonale të Futbollit në Tiranë, mes akuzave për manipulimin e procesit. Nga 41 anëtarë të Shoqatës, ishin thirrur 67 delegatë, ndryshe nga parimi një anëtar një votë. Shqetësimi u ngrit prej fillimit tëmbledhjes, nga disa prej delegatëve të pranishëm.
Në situatën e krijuar, ku numrat u shtuan, kandidati Eduard Prodani vendosi të largohej nga salla, i ndjekur nga 20 delegatë: “Siç prisnim, në sallën e asamblesë gjetëm më shumë sesa numri i duhur i delegatëve. Duhet ta dini që kam insistuar që të jepej numri i delegatëve. Ka qenë manipulim i listës së delegatëve. Kanë shtuar ditët e fundit pafund, aty ku u lexuan një listë shoqatash dhe në mënyrë arbitrare dikush kishte një, dikush kishte dy. Kuptohet që të papreferuarit kishin një, të preferuarit dy”.
Skandali vijon edhe me prezencën e disa delegatëve që do të votonin, të cilët nuk janë pjesë e futbollit të kryeqytetit.
“Aty kishte fytyra që nuk i kishim parë asnjëherë. A kishin ardhur nga Hëna, a ishin alienë, nuk e di njeri. Kjo ishte një asamble e manipuluar. Nuk mund të qëndronim në të”, tha Prodani.
Pavarësisht largimit të delegatëve, Asambleja e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë i mbylli punimet, nga të cilat kandidati Krenar Alimehmeti fitoi me 44 vota, 2 vota ishin për Prodanin, ndërsa një abstenim. (A2 Televizion)