Kreu i ri i SPAK, reagon Yuri Kim: Pa frikë dhe pa favore, monitorojmë procesin

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2022, 09:22 | Aktualitet
Kreu i ri i SPAK, reagon Yuri Kim: Pa frikë dhe pa favore, monitorojmë

Dy ditë para zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka lëshuar një mesazh. Yuri Kim thekson se procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të ndikuar në hetime.

"Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura.

Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të ri të SPAK-ut, i cili - pa frikë dhe favor - do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura”, shkruan Yuri Kim.

Më tej, ambasadorja thekson se reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. “SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë. Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”, mbyllet postimi i ambasadores në Twitter.

Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka caktuar 16 dhjetorin si datën e mbledhjes në të cilën do të intervistohen kandidatët për kreun e ri të SPAK, për të zgjedhur njërin prej tyre si pasardhësin e Arben Krajës. Mbledhja pritet të zhvillohet në orën 10:00 të 16 dhjetorit, ndërsa prezentë do të jenë anëtarët e KLP-së, si dhe të ftuar përfaqësues të ministrisë së Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Programi OPDAT dhe delegacioni i Komisionit Evropian.

Ndërkohë, referuar rendit të ditës, KLP-ja njofton se kandidatët që do të intervistohen, të cilët kanë plotësuar kushtet e kandidimit për kreun e ri të SPAK, janë: Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili. Menjëherë pas intervistimit të kandidatëve, do të bëhet edhe përzgjedhja e fituesit, i cili do të zëvendësojë në këtë detyrë Arben Krajën.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/02/kreu-i-ri-i-spak-klp-me-16-dhjetor-zgjidhet-pasardhesi-i-arben-krajes/
https://a2news.com/2022/11/29/pothuajse-nje-menaxher-roli-i-kreut-te-spak-sjell-debat-hoxha-reforma-nuk-i-ka-shpetuar-semundjes-se-ndikimit-te-njeshit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos