
Kryeministri japonez, Yoshihide Suga, ka njoftuar se nuk do të kandidojë në një garë drejtuese të Partisë Liberal Demokratike në pushtet këtë muaj, duke hapur rrugën për zëvendësimin e tij pas vetëm një viti në detyrë.
"Gara dhe trajtimi i kundërmasave të koronavirusit kërkon energji të madhe", u tha ai gazetarëve në Tokio të premten.
72-vjeçari Suga, i cili mori postin pasi ish-kryeministri Shinzo Abe dha dorëheqjen shtatorin e kaluar, duke përmendur shëndetin e dobët, ka parë që vlerësimet e tij të binin nën 30 për qind, ndërsa kombi po lufton me valën e tij më të keqe të infeksioneve COVID-19, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti.
"Sot në takimin ekzekutiv, presidenti Suga tha se dëshiron të përqendrojë përpjekjet e tij në masat kundër koronavirusit dhe nuk do të kandidojë në zgjedhjet e lidershipit", u tha gazetarëve Toshihiro Nikai, sekretari i përgjithshëm i LDP, pas lajmit për largimin e Suga-s.
"Sinqerisht, jam i befasuar. Është vërtet për të ardhur keq. Ai bëri çmos, por pas një shqyrtimi të kujdesshëm, mori këtë vendim", shtoi ai.
Vendimi për të dhënë dorëheqjen vjen si një rrufe në qiell të hapur në politikën japoneze dhe në një kohë që vlerësimet për Suga-n janë në një nivel të ulët historik mbi trajtimin e qeverisë së tij për përgjigjen ndaj pandemisë. (A2 Televizion)