
Për kryeprokurorin e vendit Olsian Çela, tema e ditës së punës së prokurorive të vendit është hetimi i krimeve zgjedhore. Kjo është edhe arsyeja e turit të nisur nga kryeprokurori në të gjithë vendin, ku gjatë ditës së sotme ka qenë në prokuroritë e Fierit dhe Vlorës.
Nga kjo e fundit, Çela apeloi jo vetëm për hetim të shpejtë të krimit zgjedhor, por edhe transparencë me publikun dhe mediat.
“Për sa i përket krimit zgjedhor është prioritet i ditës. U është kërkuar prokurorive të jetë në prioritet hetimi i shpejtë dhe i plotë i tyre. I rëndësishëm është sigurimi i transparencës”, tha Çela.
Hetimi i tjetërsimit të pasurive që rrjedhin nga aktivitetet kriminale ishte pika tjetër që kryeprokurori ka ndarë me vartësit, duke theksuar se pavarësisht memorandumeve ka ende probleme nga institucionet ligjzbatuese në vend. “Për fat të keq ende shikojmë që ka shqetësime në bashkëpunimin mes institucioneve. Ka vend për përmirësim dhe më shumë përgjegjësi”.
Takimet e kryeprokurorit pritet të vijojnë edhe në prokurori të tjera të vendit. (A2 Televizion)