
Ishte një derbi i zjarrtë ballkanik, dhe e fitoi ekipi që nuk pritej. Në Kroaci, të paktën për sa i përket tenisit, sot e tutje do të jetë një datë e shënuar, sepse arritën të eliminonin nga finalja e Kupës Davis rivalët e përjetshëm të Serbisë.
Një sipërmarrje në fillim pothuajse e pamundur, duke marrë parasysh se me Serbinë luan numri 1 i botës, Novak Djokovic.
Që gjysmëfinalja e shumëpritur po shkonte drejt Zagrebit u kuptua që në ndeshjen e parë, ku surpriza e turneut për kombe, numri 279 i renditjes Borna Gojo, mundi numrin 33 të renditjes Dusan Lajovic me rezultatin 4-6 6-3 6-2.
Djokovic mundi lehtësisht kroatin Marin Cilic me rezultatin 6-4, 6-2, duke barazuar për momentin sfidën, por shpresat tashmë ishin të pakta, sepse në ndeshjen në çift, kroatët Mektic-Pavic janë aktualisht numrat 1 në botë.
Djokovic provoi të luante, vetëm pak minuta pas fitores së tij individuale, bashkë me Filip Krajinovic, por kroatët fituan falë eksperiencës 7-5 6-1 duke çuar ekipin e tyre në finalen e katërt në Davis për Kroacinë, pas fitoreve në 2005 dhe 2018 dhe humbjes në 2016.
Kroatët, që nuk kishin fituar kurrë ndaj Serbisë, do takojnë fituesen e gjysmëfinales Rusi-Gjermani, e cila pavarësisht rezultatit duket e favorizuar ndaj ballkanasve. (A2 Televizion)