Rekordi nga Max Biaggi, me 470 km/h mbi një motor elektrik

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2021, 16:40 | Sporte të tjera
Rekordi nga Max Biaggi, me 470 km/h mbi një motor elektrik

Një xhiro si asnjë tjetër. Udhëtim me 470 km/h mbi një motor. Ky është rekordi i jashtëzakonshëm i regjistruar nga Max Biaggi. Ish-piloti i MotoGP nuk e ka humbur për asnjë moment dashurinë për shpejtësinë dhe pavarësisht moshës 50-vjeçare vazhdon ta testojë veten deri në kufijtë më ekstrem.

Në Florida, në ambientet e qendrës hapësinore Kennedy Space Center, Biaggi vendosi një primat absolut shpejtësie me një motor elektrik.

Ai theu rekordin e mëparshëm, me afërsisht 456 km/h, të cilin e kishte vendosur po vetë me Voxan Motors. Këtë herë, me motor të modifikuar dhe disi më të lehtë, piloti roman e ndali kilometrazhin në më tepër se 470 km/h.

“Me gjithë atë shpejtësi, veshja ime prodhonte aq shumë nxehtësi sa dukej sikur lëkura po më digjej”, tregoi Biaggi. Në testet e këtyre ditëve, ai regjistroi plot 21 rekorde botërore. Ky ishte testimi i prototipit të ri nga kompania e cila furnizonte me motorë skuadrën Mercedes në Formulën Elektrike. (A2 Televizion)

https://youtu.be/TW56hb25JOk

A2 CNN Livestream

Latest Videos