Kursi i këmbimit, dollari amerikan në nivelin më të ulët prej 2014

Nga A2 CNN
4 Dhjetor 2020, 20:20 | Ekonomi
Kursi i këmbimit, dollari amerikan në nivelin më të

Dollari amerikan ka rënë në nivelin më të ulët të gjashtë viteve të fundit kundrejt lekut. Valuta e gjelbër këmbehet sot për 101.89 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, plot 5 pikë më pak se edhe një muaj më parë.

Shkak për këtë rënie është bërë ecuria e dollarit në bursat ndërkombëtare, veçanërisht në raport me euron, valutën e dytë më të përdorur në vendin tonë.

Krahas përdorimit të gjerë në të gjithë botën, dollari amerikan është parë gjithmonë si një valutë e sigurt. Por zgjedhja e Joe Biden si presidenti i ardhshëm dhe lajmet pozitive për vaksinat e Covid-19, kanë reduktuar nevojën për t’iu drejtuar sigurisë.

Kjo rënie sipas ekspertëve pritet të vijojë edhe përgjatë vitit 2021, por efekti në vendin tonë pritet të jetë i moderuar, teksa një pjesë e vogël e huave dhe depozitave janë në këtë valutë. Rreziku i vetëm do të vinte nga një forcim i euros, që krahas përdorimit të gjerë në ekonomi, do të ndikonte në edhe rritjen e interesave për borxhin publik.

Ndërkohë që prej heqjes së masave kufizuese për ekonominë në fund të Majit, valuta europiane ka qenë e stabilizuar në tregun valutor vendas, teksa sot këmbehet për 123.84 lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos