Elton Haxhi: Luhatja e kursit të këmbimit do ta bënte borxhin më të shtrenjtë për Shqipërinë

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2020, 20:34 | Ekonomi
Elton Haxhi: Luhatja e kursit të këmbimit do ta bënte borxhin

Ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Elton Haxhi, ka deklaruar, në studion e A2 CNN, se borxhi publik është i rrezikshëm për Shqipërinë, pasi luhatja e kursit të këmbimit do ta bënte atë më të shtrenjtë për vendin tonë.

“Borxhi është i rrezikshëm për shkak të kostove të tij, ka një risk edhe nga këmbimi valutor. Gjysmën e kemi borxh të huaj, gjysmën vendas. Borxhi i huaj përveç kostos së borxhit, ka interes të shtuar që lidhet me rrezikun e kursit të këmbimit. Kemi risk edhe nga luhatja e kursit të këmbimit që do ta bënte borxhin më të shtrenjtë për Shqipërinë. Borxhi është një risk që nuk të lejon të përballosh edhe një borxh më të lartë, që mund të të duhet për pandeminë e Covid, se duhet të rrisësh shpenzimet dhe duhet të marrësh borxh të ri”, shprehet Haxhi edhe pse nuk beson që ka hapësira për rritjen e borxhit, përveçse një vale të dytë të pandemisë që do të sillte një problem të madh social dhe qeveria do të detyrohet të merrte borxh.

Sipas tij, parashikimet në buxhet janë si për një realitet normal, por 2021 nuk ka gjasa të jetë i tillë.

Duke analizuar raportin e FMN-së, Haxhi thekson se rreziku do ishte mosrealizimi i të ardhurave, prandaj FMN ka bërë rekomandim për prioritetet e shpenzimeve.

“Synimi kryesor është rritja e nivelit të të ardhurave, kemi 26-27%, por në këto vitet e fundit synohet që të shkojë në 30% për t’u afruar me nivelin e rajonit

Rrezik do ishte mosrealizimi i të ardhurave. FMN është më e saktë në parashikimet e saj. Një rrezik është që të mos kemi në dispozicion ato shpenzime që janë parashikuar në buxhetin e 2021 që do të sillte një shkurtim gjatë vitit, por se çfarë do shkurtohet këtë nuk e dimë prandaj FMN ka bërë rekomandim që të ishte bërë një analizë e prioriteteve të shpenzimeve”.

Duke komentuar shpenzimet e fondeve të rindërtimit dhe pandemisë, që deri tani janë shpenzuar vetëm 35 , Haxhi deklaron se kjo ka ardhur si pasojë e vonesave në procedurat e zbatimit të buxhetit dhe zbatimin e procedurave të prokurimit të këtyre fondeve.

“Parashikimet për shpenzimet mund të kenë qenë të pasakta, por besoj te procedura e prokurimit të realizimit të shpenzimeve në kushtet e pandemisë edhe ritmet e zbatimit të buxhetit janë ngadalësuar, këtë e tregojnë të gjithë treguesit. Vonesa në procedura të zbatimit të buxhetit dhe zbatimin e procedurave të prokurimit të këtyre fondeve. Këto i kanë anashkaluar procedurat normale të prokurimit, mund të ketë pasur problematika dhe nuk janë realizuar”.

Sipas tij, nuk ka të dhëna se ç’fazë janë fondet për pandeminë dhe tërmetin, por nëse janë alokuar në fondin e rindërtimit ato nuk mund të përdoren për arsye të tjera.

“Që një shpenzim të raportohet si i realizuar duhet të prokurohet, hapi tjetër është të realizohet shpenzimi dhe disbursimi i fondeve se në çfarë faze janë fondet për pandeminë e rindërtimit nuk kemi të dhëna dimë që nuk janë realizuar, dimë që nuk janë kryer, por nuk janë miratuar. Nëse janë alokuar në fondin e rindërtimit nuk mund të përdoren dhe unë besoj që nuk po i çon asgjëkundi". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos