
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar lidhur me lajmet e mediave serbe që njoftuan arrestimin e tre zyrtarëve të policisë kosovare.
Shefi i qeverisë së Kosovës njëjtë si ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla e cilëson këtë një rrëmbim nga ana e Forcave Speciale serbe.
“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë”, shprehet Kurti.
Ai nënvizon se ngjarja besohet të jetë hakmarrje e Serbisë për arrestimin nga policia e Kosovës të kriminelit Millum Millenkoviq.
Kurti po ashtu shprehet se hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq - Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit.
Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policorë dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, shkruan Kurti në Facebook. (A2 Televizion)