
Bashkimi Europian nuk përjashton mundësinë që Kosova të ndëshkohet edhe me masa të tjera nëse nuk përmbush kërkesat e ndërkombëtarëve për zbutjen e tensioneve në veri. Zëdhënësi Peter Stano, që refuzoi përdorimin e termit “sanksione”, tha se plani pesë pikësh i ofruar nga kryeministri Albin Kurti “nuk e adreson problemin kryesor, dhe dështon të bëjë hapa për uljen e tensioneve”.
Zyrtari i BE-së sqaroi se masat do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Europian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm mbi adresimin e krizës aktuale. Stano theksoi se këto janë masa të përkohshme, si një përgjigje ndaj dështimit të kryeministrit të Kosovës, për të qetësuar situatën në veri. Sa i përket ndëshkimit edhe të Serbisë, lidhur me krizën në veri të Kosovës apo për mospërshtatjen e politikave me ato të Unionit ndaj Rusisë, zëdhënësi tha se këto dy çështje nuk duhet të ngatërrohen me njëra tjetrën.
“Më lejoni të qartësojë një gjë. Nuk ka sanksione. BE-ja vendos sanksione si masë kufizuese të bazuar në kornizë të qartë ligjore të definuar nga shtetet anëtare, pas një procesi të gjatë të diskutimeve në Këshill. S’ka sanksione ndaj Kosovës. Ka një sërë masash, apo propozime për një sërë masash. Disa prej masave kanë hyrë tashmë në fuqi, ndërsa të tjerat po diskutohen ende. Vendet anëtare do t'i zbatojnë gradualisht, nëse nuk do të ketë ndryshim të qasjes së autoriteteve të Kosovës. Spektri është relativisht i gjerë”. (A2 Televizion)