“Kushtetuesja brenda vitit”, KED: Angazhim maksimal, por nuk varet vetëm nga ne

Nga A2 CNN
20 Tetor 2020, 17:39 | Aktualitet
“Kushtetuesja brenda vitit”, KED: Angazhim maksimal, por nuk varet

Një ditë pasi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, kërkoi nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të nisë sa më shpejt punën për vlerësimin e kandidatëve për gjyqtarë në Kushtetuese, institucioni reagon duke zbehur disi shpresat për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti.

KED thotë se i ka marrë të gjitha masat e duhura për të realizuar një proces të rregullt ligjor, efektiv dhe të shpejtë, nëpërmjet kryerjes së një hetimi dhe verifikimi të thellë e të kujdesshëm për secilin nga kandidatët konkurrues për vendet vakante. “Megjithatë, pavarësisht nga angazhimi maksimal i këtij këshilli, thellësia e procesit të verifikimit, besueshmëria, integriteti dhe shpejtësia e tij varet gjithashtu edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike si: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti i Dosjeve, etj., si dhe subjektet private, të cilat sipas dispozitave ligjore, duhet t’i kthejnë përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, me informacione të plota dhe të sakta në shërbim të realizimit me sukses të misionit kushtetues e ligjor të KED”, thuhet në një njoftim për mediat të këtij institucioni.

Ambasadorja Kim ka këmbëngulur vazhdimisht që Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të japë vendime për disa çështje tepër të rëndësishme, si vlefshmëria e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, të ngrihet brenda fundit të vitit 2020. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Aktualisht Kushtetuesja ka 4 anëtarë nga 9 që duhet të ketë në kushte normale. Për të qenë funksionale duhet të ketë së paku 6 gjyqtarë në detyrë. KED është në proces për plotësimin e tre vakancave, dy të shpallura nga Presidenti i Republikës për vendet e lëna bosh nga ish-anëtarët Besnik Muçi e Besnik Imeraj dhe një e shpallur nga Kuvendi për vendin e Fatos Lulos.

Për vakancën e krijuar nga largimi i gjyqtarit Besnik Muçi, KED filtroi 10 kandidatë, ku vetëm 2 prej tyre, Altin Binaj dhe Sonila Bejtja, rezultoi të plotësonin kushtet ligjore për të vijuar kandidimin. Tetë të tjerët, u skualifikuan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos