
Lojtarët e NBA të pavaksinuar duhet të përjashtohen nga skuadrat e tyre, tha legjenda e basketbollit amerikan, Kareem Abdul-Jabbar, në një intervistë për revistën “Rolling Stone”. “NBA duhet të këmbëngulë që të gjithë lojtarët dhe stafet e skuadrave të vaksinohen, ose t’i largojë nga skuadra”, tha Abdul-Jabbar.
“Nuk ka vend për lojtarët që janë të gatshëm të rrezikojnë shëndetin dhe jetën e shokëve të skuadrës, stafit dhe tifozëve, thjesht sepse nuk janë në gjendje të perceptojnë seriozitetin e situatës, ose nuk bëjnë kërkimet e duhura”.
Të hënën, në një tjetër intervistë, këtë herë për Don Lemon në CNN, Abdul-Jabbar, shtoi: “Nuk mendoj se ata po sillen si shokë të mirë skuadre, ose si qytetarë të mirë. Jemi në një luftë dhe maskat e vaksinat janë armët për të luftuar”.
NBA nuk ka vendosur ndonjë detyrim për vaksinimin e lojtarëve, por kjo u është kërkuar gjyqtarëve dhe personave të tjerë që punojnë afër lojtarëve. (A2 Televizion)