
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka bërë një postim në rrjetet sociale ku i jep zë edhe njëherë lehtësimit të masave kundër koronavirusit.
Ndonëse situata është prej ditësh e përmirësuar, ministrja Manastirliu bën thirrje që të mos ulet vigjilenca pasi varianti Delta është identifikuar edhe në vendet pranë nesh.
“Nga sot në fuqi plani i lehtësimit të mëtejshëm të masave anti-covid, për t'i dhënë më shumë frymëmarrje jetës social-kulturore dhe turizmit në vend. Por mbetet ende alerti nga varianti Delta, i cili është identifikuar edhe në vendet pranë nesh, ndaj nuk duhet të ulim vigjilencën dhe duhet të ecim me shpejtësi me vaksinimin anti-covid, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, shkruan Manastirliu.
Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët nga Komisioni i Ekspertëve, nga data 1 korrik hynë në fuqi masat e reja kundër pandemisë së koronavirusit.
Nga dita e sotme do të kemi një orë më shumë liridalje, pasi ora policore shtyhet në orën 24:00 nga 23:00 që ishte.
Gjithashtu, do të lejohet kthimi i tifozëve në stadiume dhe shfaqjet apo teatrot, por me numër të kufizuar spektatorësh dhe masa të rrepta të zbatimit të protokolleve anti-Covid. (A2 Televizion)