
Operacioni "Bregdeti ynë", i cili prej ditësh është duke vijuar në zonat bregdetare për lirimin e hapësirave të zaptuara në mënyrë të kundraligjshme me shezlongë e çadra, ka nisur fazën e dytë edhe në liqenin e Pogradecit.
Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit "Për kontrollin e vijës bregliqenore në drejtim të zaptimit të hapësirave publike nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania", Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës janë shërbime të Komisariatit të Policisë Pogradec, Policia Bashkiake, Inspektorati i Territorit të kontrollit dhe zyra e Tatimeve të Bashkisë Pogradec, prej mëngjesit të sotëm ka nisur kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në Pogradec.
Deri tani janë kontrolluar 24 subjekte, të cilat ishin të pajisura me lejen përkatëse dhe nuk janë evidentuar shkelje. (A2 Televizion)