
Një duel spektakolar dhe i luftuar deri në sekondën e fundit. I tillë mund të konsiderohet takimi mes Teutës dhe Pejës në basketbollin e meshkujve.
Dy skuadra pretendente për këtë trofe matën forcat në palestrën “Karagaçi” të Kosovës në kuadër të xhiros së tetë të Ligës Unike në basketboll. Një duel ku diferenca u pa vetëm në fund, pasi Peja regjistroi një fitore të ngushte 103-101 ndaj një Teute të palodhur dhe që nuk u dorëzua deri në momentin final.
Maxwell ishte më i mirë në parket me 30 pikë dhe 11 topa në tabelë, çfarë bëri që t’i jepte fitoren skuadrës nga Peja. E veçanta e këtij superdueli ishte dhe shënimi i mbi 200 pikëve në një ndeshje, gjë të cilën nuk e kemi parë shpesh në basketbollin vendas apo europian. Pas këtij triumfi, Peja udhëheq në tabelë me 14 pikë, ndërsa Teuta mbetet e treta me 12 pikë. (A2 Televizion)