Ligji për përgjimin nga policia, Ballanca: Kufizoheshin thellësisht të drejtat e qytetarëve

Nga A2 CNN
5 Korrik 2021, 22:27 | Aktualitet
Ligji për përgjimin nga policia, Ballanca: Kufizoheshin

Nga sot asnjë komisar policie apo drejtues me gradë më të lartë nuk ka të drejtë të përgjojë askënd, siç ka ndodhur deri më tani, pasi cenojnë privatësinë dhe pavarësinë e gjyqësorit. Ky ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi nenin 131 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, ligj ky i formuluar në vitin 2014 dhe që ka probleme të tjera, përveç këtij neni tashmë të shfuqizuar nga Kushtetuesja.

Për këtë vendim foli në Absolut 4, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, e cila u shpreh se ligji kufizonte thellësisht të drejtat e qytetarëve.

“Bëhej fjalë për një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Kushtetuta garanton për çdo qytetar respektimin e jetës private të tij, ky është rregulli i përgjithshëm. Veprimtaria e përgjimit lejohet vetëm me vendim të gjykatës.

Me ligjin e ri, policia mori një atribut, duke kufizuar thellësisht këto të drejta. Sipas ndryshimit që u bë, drejtori i policisë propozoi një term të ri, i cili është i njëjtë me përgjimin. Ata pretendojnë se këtë veprimtari do ta kryenin në kuadër të parandalimit të krimit.

Ligji rezultonte të ishte i paqartë se si do ta kuptonin qytetarët vendin publik apo vendin e hapur për publikun. Një tjetër element është se nuk parashikohej në ligj se sa kohë do të ruheshin këto të dhëna”, u shpreh Ballanca. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos