Lirohen tre shqiptarët e arrestuar nga policia serbe në Merdarë

Nga A2 CNN
15 Qershor 2023, 12:51 | Kosova
Lirohen tre shqiptarët e arrestuar nga policia serbe në Merdarë

Tre të arrestuarit nga policia serbe në Merdare, Dervish Maliqi, Esat Muçolli dhe Fatmir Hajdari, sapo janë liruar nga paraburgimi. Mediat kosovare thonë se, ata tani ndodhen ende në Gjykatë, por gjyqtari ka marrë vendim për lirimin e tyre. Vendimi është marrë pas seancës gjyqësore, e cila sapo ka përfunduar në Gjykatën e Kurshumlisë. Ata po mbaheshin të ndaluar që nga 13 qershori.

Kujtojmë se, tre të liruarit ishin pjesë e grupit prej shtatë personash nga Podujeva, që u arrestuan të martën nga autoritetet serbe në kufirin Kosovë-Serbi, saktësisht në Merdarë. Në lidhje me ndalimin e tyre, foli familjari i dy prej të arrestuarve, Labinot Maliqi, i cili tregoi se si policia serbe e ka ndaluar veturën në kufi dhe i kanë arrestuar Dervish Maliqin dhe dhëndrin e tij, Esat Muqollin. Maliqi theksoi se ai ka një kompani për bartjen e makinave dhe se ishin nisur në drejtim të Gjermanisë.

“Unë kam qenë aty, jemi nis me shku për Gjermani, merremi me bartjen e veturave, në Merdarë i kanë ndal dhe ju kanë thënë veç shkoni parkojeni kerrin atje dhe hajdeni. Ata nuk i ka marrë policia e Merdares, po policia e BIA-së nga Beogradi. E kanë parku veturën, i kanë shti brenda. Më njoftuan, shkova…E pyeta policinë për çka po i merrni, e ai më tha veç që jeni shqiptarë. D.m.th kjo është hakmarrje që janë arrestu këta dje në Mitrovicë…ndërsa mua më lanë, ma dhanë veturën me dokumente. Ti tha je i lirë, shko merre veturën…”, tha ai.

Disa ditë më parë, për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD), u kishte bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin kalimin nëpërmjet Serbisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos