Futbolli është magjik sepse është i paparashikueshëm, dhe sot këtë cilësim e vërtetoi ndeshja midis Liverpool dhe West Bromwich Albion. “Reds” janë në krye të klasifikimit, dhe me barazimin midis Manchester United dhe Leicester mund të shkëputej me 5 pikë, ndërkohë që kundërshtarët kishin vetëm 7 pikë, të dëshpëruar dhe pothuajse të sigurt për rikthimin në Championship, të paktën deri në ndeshjen e sotme.
Kjo sepse ekipi i drejtuar nga një trajner kontrovers si Sam Allardyce, që arriti edhe stolin e Kombëtares angleze duke e drejtuar për një ndeshje të vetme në 2016, për shkak të një skandali korrupsioni që e përfshinte, arriti të barazonte 1-1 në “Anfield Road”, duke i shkaktuar ndalesën e parë në shtëpi nga janari i 2019 djemve të Jurgen Klopp.

Liverpool dominon pjesën e parë me përqindje domethënëse (81% mbajtja e topit në pjesën e parë, 78% në total, kalon në avantazh me Sadio Mane në minutën e 12-të, duke bërë të mendojnë të gjithë për një goleadë. Por kjo nuk ndodh, kampionët anglezë fillojnë të shpërdorojnë dhe të nervozohen, ndërkohë që West Bromwich merr kurajë.
Goli i barazimit i Semi Ajayi në të 82-tën është pasoja e pashmangshme i një ligji të pashkruar të futbollit, ku kush shpërdoron e pëson.
Një fakt kurioz vjen nga trajneri i West Browich, Allardyce, i cili ka qenë edhe trajneri i fundit që ka fituar në Anfield Road në një ndeshje të Premier, në vitin 2017 me Crystal Palace. (A2 Televizion)