Londra lufton ndotjen, tarifa për të hyrë në qendër të qytetit

Nga A2 CNN
8 Prill 2019, 18:28 | Bota
Londra lufton ndotjen, tarifa për të hyrë në qendër

Nga 8 prilli nëse hyn në qendër të Londrës me automjet është mirë të zbatosh rregullat. Këtë të hënë hyri në fuqi zona e re e trafikut të kufizuar, e cila synon të reduktojë ndotjen qytetare për shkak të transportit. Drejtuesit e veturave, kamionëve dhe motoçikletave të vjetra e që gjenerojnë më shumë ndotje do të duhet të paguajnë 14,5 euro në ditë për të hyrë në qendër të qytetit.

Tarifat e të ashtuquajturës zona e emetimeve super të ulëta, do të prekin përgjithësisht automjetet me benzinë të regjistruara para vitit 2006 dhe modelet me naftë para shtatorit të vitit 2015. Gjatë ditëve të javës, nga e hëna në të premte, shumicës së drejtuesve do t’u duhet gjithashtu të paguajnë edhe tarifën ekstra prej 13 eurosh për mbingarkesën.

Sipas kryebashkiakut Sadik Khan, Londra është një prej qyteteve më të ndotura të Europës. “Në Londër ka fëmijë me mushkri të pazhvilluara për shkak të cilësisë së dobët të ajrit. Çdo ditë 4 londinezë shtrohen në spital si pasojë e cilësisë së ajrit. Të rriturit kanë një sërë sëmundjesh, nga astma deri te problemet me zemrën, demenca dhe kanceri… të cilat I atribuohen drejtpërdrejt ndotjes”, u shpreh Khan.

Zona e re e trafikut të limituar në Londër është një prej masave më të rënda të ndërmarra deri më tani për të luftuar ndotjen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos