
Romelu Lukaku është heroi i Interit. Me dy golat e tij, sulmuesi belg i dha 3 pikët jetike zikaltërve në ndeshjen ndaj Borussia Monchengladbach, që përfundoi me rezultatin 3-2 për skuadrën e drejtuar nga Antonio Conte.
Interi ruan shpresat për kualifikim, pavarësisht vendit të fundit në grupin B, që kryesohet nga Borussia me 8 pikë, e ndjekur nga Shakhtar dhe Real me 7, ndërsa Interi me 5 pikë.
Golat e Interit u shënuan nga Darmian dhe Lukaku (2), ndërsa për Monchengladbach shënoi dy herë Plea.
Në takimet e tjera, Atalanta barazon 1-1 ndaj Midtjylland, duke lënë gjithçka hapur për vendin e dytë të grupit në ndeshjen e fundit ndaj Ajax, që u mund sot 1-0 në Angli nga Liverpool.
Atletico Madrid nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj një Bayern Munchen me mungesa. Skuadra e Simeones duhet ta presë biletën për fazën tjetër në ndeshjen e fundit të grupit, në Salzburg.
Manchester City dhe Porto, dy skuadrat e kualifikuara të grupit C, barazuan 0-0, ndërsa Marseille arriti fitoren e parë në grup ndaj Olympiakos, duke i mundur grekët me rezultatin 2-1. (A2 Televizion)