
Ndërkohë që Romelo Lukaku po pret një avion privat që nga Montecarlo, ku ndodhet aktualisht do ta çojë në Londër, një tjetër sulmues pritet në Milano, me shpresën që do t’i sigurojë Interit golat e nevojshëm për të mbrojtur titullin në Serie A.
“Ish-mbreti i Milanos”, si e cilësonte veten belgu pak javë përpara, pritet të mbyllë marrëveshjen me Chelsea në orët në vijim, ndërkohë që në Milano mbërriti nga Roma bomberi boshnjak Edin Dzeko, që do të mbajë numrin 9 zikaltër.
Nga aeroporti i Linates sulmuesi me eksperiencë kreu vizitat mjekësore, dhe më pas u drejtua drejt Appiano Gentile, në selinë stërvitore të Interit, ku do të njihet me shokët e ekipit dhe trajnerin Simone Inzaghi, që ka takuar shumë herë nga momenti që të dy në sezonin e kaluar jetonin në kryeqytetin italian, edhe pse në dy ekipe rivale.
Fillimisht u mendua se sulmuesi, ish-kapiten i Romës do të largohej nga Mourinho vetëm kur Roma të gjente zëvendësuesin, por i “djegur” nga sezonet e mëparshme, kur kalimi i tij tek Chelsea dhe Interi u anuluan në momentin e fundit, ai ka bërë presion për të ikur sa më parë, ndërkohë që vetëm dy javë ndajnë ekipet nga fillimi i kampionatit.
Interi ndërkohë kërkon edhe një sulmues tjetër, ku favorit duket Zapata i Atalantës, por edhe Correa që Inzaghi e njeh mirë kur e drejtonte te Lazio. Për Romën, ndërkohë, flitet për sulmuesin e Chelsea Abraham, për të mbyllur më së miri një rreth kaotik transferimesh. (A2 Televizion)