Lukaku vs Ibra, Milano kërkon “Mbretin”

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2020, 11:49 | Futboll
Lukaku vs Ibra, Milano kërkon “Mbretin”

Inter dhe Milan luajnë derbin e dytë të Milanos për sezonin 2019-2020 të Serisë A, në javën e 23-të të kampionatit italian.

“Derbi i Madoninës” sheh Interin plot 19 pikë më shumë në renditje sesa Milani, ndërkohë që kampionatin e kaluar diferenca mes këtyre dy ekipeve në fund të tij ishte vetëm një pikë.

Por, derbi mbetet derbi, pavarësisht se Interi zbret në fushë si favorit mbrëmjen e sotme.

Zikaltërit vijnë në këtë ndeshje me vetëm një humbje në kampionat, atë ndaj Juventusit në San Siro, dhe me mbrojtjen më të mirë të Serisë A (18 gola të pësuar). Por, kohët e fundit ritmi i tyre ka rënë ndjeshëm, duke fituar vetëm 3 nga 8 ndeshjet e fundit.

Udhëheqësi i Interit ka qenë Romelo Lukaku, i cili këtë ndeshje duhet të bëjë pa shokun e repartit, Lautaro Martinez.

Nga ana tjetër, kuqezinjtë, me ardhjen e Zlatan Ibrahimovic, nuk njohin humbje. Skuadra ka përfituar gjithashtu edhe nga kalendari i mirë në fillimin e këtij viti, teksa ka barazuar me Sampdorian dhe Veronën, dhe ka fituar me kundërshtarë si Cagliari, Udinese e Brescia, pa harruar përmbysjen ndaj Torinos në çerekfinalen e Kupës së Italisë.

Ekipi i Milanit po i afrohet me shpejtësi zonës Champions, edhe pse ende është larg saj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos