Lumezi: Basha tenton rizgjedhjen si kryetar me të njëjtat mjete për të cilat akuzoi mazhorancën

Nga A2 CNN
25 Maj 2021, 21:52 | Politikë
Lumezi: Basha tenton rizgjedhjen si kryetar me të njëjtat mjete

Aristir Lumezi, zv.kryeredaktor i gazetës “Panorama” ishte i ftuar në “Absolut 4” nga ku u shpreh se pas humbjes Basha dhe kryesia duhej të dorëhiqeshin.

Lumezi shton se fakti që ai nuk dha dorëheqjen tregon se Basha nuk ka kuptuar asgjë nga ajo që ka ndodhur në këto zgjedhje dhe kërkon rizgjedhjen si kryetar i PD me të njëjtat forma siç akuzoi mazhorancën, pra duke përdorur pushtetin në parti.

“Kemi këtë rezultat. Një rezultat humbës. Nga ky moment fillon analiza te PD. Analiza duhej të niste me dorëheqjen e Bashës dhe të forumeve, të paktën të kryesisë dhe t’i hapte rrugën një procesi zgjedhor. Analize në radhë të parë dhe pastaj procesi sepse nëse nuk kupton se nga erdhi humbja, kush ishin arsyet dhe shkaqet që të çuan në këtë rezultat, atëherë kot ndërrojmë emrat, hajt rizgjedhim të njëjtët persona dhe vazhdojmë zgjedhjet e ardhshme që janë një pikëpyetje e madhe përsëri.

Fakti që Basha nuk tentoi të jepte dorëheqjen por e pranoi më kujton dhe rastin e PS dikur, kur Rama nuk dha dorëheqjen kur e kërkonte Blushi. Do të thotë që nuk ka kuptuar asgjë nga ajo që ka ndodhur në këto zgjedhje dhe kërkon me të njëjtat forma dhe të njëjtat mjete siç akuzoi mazhorancën, pra duke përdorur pushtetin në parti tenton rizgjedhjen e tij në pozita të disfavorshme për sfidantët e tij.”, u shpreh Lumezi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos