
Makthi i mijëra shqiptarëve në Kakavijë u zgjidh gjatë natës, pas 4 ditëve në mes të diellit, plot frustrim për masat greke në kufi, por edhe hidhërim për palën shqiptare që dukej e pafuqishme ose pothuajse e çinteresuar. Analistja Edlira Gjoni, sigurisht e lumtur për zgjidhjen, evidenton gjithsesi faktin se “përderisa u gjet një zgjidhje domethënë që ka pasur një problem, dhe do të ishte mirë që të ishte vepruar që në fillim”.
Gjoni nuk është nga ata që i vejnë fajin vetëm qeverive, edhe pse pohon se “gjithçka do të ishte zgjidhur më parë në qoftë se disa politikanë do të ishin zgjuar nga pushimet”.
Gjithsesi sipas saj ngjarja duhet të dimensionohet në një situatë aspak të thjeshtë. “E vërteta është që në këto 4 ditë, radhë po aq të gjata kanë qenë në kufirin grek me Bullgarinë, nuk u zgjuan greket me mendimin si t’i bëjmë keq Shqipërisë. Në portin e Doverit, në Angli, ka patur radha jo më pak të gjata. A mund të ishte ndërhyre më shpejt? Padyshim kishte nevojë, sepse ngjarja u shndërrua në krizë humanitare, në atë pikë nuk kërkohen më fajtorët, por zgjidhjet”.
Një tjetër aspekt, ndoshta edhe më i dhimbshëm, është ndjesia që ato persona kanë pasur, jo vetëm në këto 4 vjet, ndaj autoriteteve të vendit të tyre. Shumë nga udhëtarët në Kakavijë kanë deklaruar se pas kësaj traume nuk do të kthehen më në Shqipëri.
“Siç janë ndierë këto 4 ditë janë ndierë gjithmonë në Shqipëri, mezi presin të shkojnë në një vend ku nuk janë të mirëpritur, sepse në vendin e tyre ndihen akoma më të huaj dhe pa mbështetje. Nuk e ka fajin vetëm kjo qeveri, kjo është pasojë e një batërdie 30-vjeçare, me politika jo-shqiptare, ku politika nuk përpiqet fare. Duan paratë dhe votat e emigrantëve, por nuk bëjnë një fushatë informuese që mund të shmangte këtë katastrofë”, thotë Gjoni për A2. (A2 Televizion)