
Mali i Zi ashpërson masat kundër pandemisë, mes rritjes së rasteve me koronavirus si pasojë e variantit delta. Autoritetet njoftuan të premten se të gjithë ata qe do të hyjnë në vend, do të duhet të kenë certifikatë vaksinimi, test negativ ose dëshmi për shërimin nga Covid-19 të 6 muajve të fundit.
Fillimisht u mendua se masa do të vlente edhe për shtetet e rajonit, por autoritetet sqaruan në një deklaratë të mëvonshme se shtetasit shqiptar, ata të Kosovës, Maqedonisë se Veriut, Serbisë, Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të vijojnë të udhëtojnë të pakushtëzuar.
E pyetur nga gazetarët për arsyen e përjashtimit të vendeve të rajonit nga masa e kufizimit, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milena Lipovina Bozhovic tha se aktualisht rreziku epidemiologjik nga këto vende është i ulët dhe se përfitimi ekonomik i një vendimi të tillë është i madh për shkak të sezonit turistik. (A2 Televizion)