
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi se janë gati për t’u hapur pesë spitalet e para rajonale, kur të ezaurohen kapacitetet e 4 spitaleve Covid në Tiranë. “Në skenarin e parë, ashtu sikurse e kemi planifikuar do të jenë 5 spitale rajonale, të cilat do të vendosen në funksion dhe për të cilat janë investuar, janë marrë masat me të gjithë infrastrukturën e përshtatur. Mjekët, infermierët janë trajnuar. Janë 600 shtretër në 5 spitale rajonale të vendosura në dispozicion të mbështetjes së situatës dhe pacientëve me Covid. Dhe në tërësi në 3 skenarët e paracaktuar janë 1600 shtretër së bashku me 4 spitalet Covid për përballimin e situatës”, tha Manastirliu gjatë një vizite në spitalin e Elbasanit.
“Në kuadër të Strategjisë sonë vjeshtë-dimër, përgatitja e spitaleve rajonale është pjesë e skenarëve për t’iu përgjigjur situatës, duke ndjekur në dinamikë dhe kapacitetet në 4 spitalet COVID. Spitali i Elbasanit është në 5 spitalet e para që do të hapen në mbështetje të kapaciteteve aktuale, me pavione të veçanta dedikuar pacientëve me covid-19. Mbi 600 shtretër do të vihen në funksion me hapjen e 5 spitaleve të para në Elbasan, Shkodër, Vlorë, Durrës dhe Korçë. Më pas, do të përfshihen edhe spitalet e tjera rajonale dhe janë 1600 shtretër, bashkë me pajisjet e nevojshme dhe stafin e trajnuar, të parashikuar sipas skenarëve, për të përballuar fazën e epidemisë në dimër”. (A2 Televizion)