
Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore miratoi në unanimitet të plotë kandidaturën e Altin Binajt për anëtar në Gjykatën Kushtetuese Ky vendim i komisionit do të kërkojë edhe aprovimin e seancës plenare, ku deputetët ditën e enjte do të kenë përpara tavolinave të punës edhe raportin që autorizon Altin Binajn që të ulet në karrigen e pestë të gjyqtarit të Kushtetueses.
Por, mazhoranca pranoi se procesi po zhvillohet larg parashikimeve ligjore, për sa kohë nuk mundësohet zgjedhja mes tre kandidatëve. Ulsi Manja u shpreh: “Kuvendi, për shkak të rrethanave dhe të situatës së krijuar me Gjykatën Kushtetuese, mungesës së kandidaturave të nevojshme, por edhe në frymën e Komisionit të Venecias, ka lejuar shqyrtimin e kandidaturës së zotit Binaj si kandidaturë e vetme në këtë proces”.
Ndonëse e vetmja kandidaturë, Altin Binaj tregoi se e meriton postin e gjyqtarit kushtetues: “Është kulmi i karrierës profesionale mundësia për të kontribuar në Gjykatën Kushtetuese”.
Kuvendi tashmë duket se e ka përmbushur detyrimin për të emëruar tre gjyqtarë në Kushtetuese dhe socialistët ia pasuan topin Presidentit Ilir Meta.
“Shpresoj dhe besoj që me të njëjtin luajalitet dhe frymë bashkëpunimi të plotësohen edhe dy vakancat e tjera në Gjykatën Kushtetuese, që i takojnë Presidentit të Republikës, dhe në këtë mënyrë, pse jo brenda këtij viti, Gjykata Kushteutese të plotësohet me numrin prej 7 anëtarësh, që është kuorumi i mjaftueshëm për të qenë funksionale vendimmarrja në këtë gjykatë”, tha Manja.
Bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese është një nga kushtet e vendosura nga Brukseli për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim dhe ambasadorët në Tiranë prej kohësh kanë ushtruar presion pozitiv për ta përmbyllur këtë proces. (A2 Televizion)