
Nis projekti për investimin në maternitetin “Koço Gliozheni”, faza e parë e të cilit do të jetë 1 milion dollarë, për rehabilitimin e plotë të Urgjencës, Qendrës së Gruas, sallave të operacionit dhe pajisjen e tyre me aparatura të teknologjisë së lartë.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar sot spitalin Obsetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, ku aktualisht ka nisur funksionimi i shërbimit të ri të laboratorit, duke bërë me dije edhe investimin që pritet të fillojë së shpejti, pjesë e projektit transformues në këtë spital universitar.
“Në maternitetin “Koço Gliozheni” prezantojmë projektin më të ri, fazën e parë të rehabilitimit të sallave, të urgjencës, të qendrës së gruas, me financim të qeverisë shqiptare, si dhe laboratorin e ri të analizave që tashmë është vënë në funksion”, tha Manastirliu.
Drejtori i Maternitetit, dr. Genci Hyska tha se ky është një investim tepër i rëndësishëm për këtë spital.
“Faza e parë e projektit përfshin rikonstuksionin e sallave të operacionit, me shtimin e kapaciteteve të tyre, duke shtuar dhe dy salla të reja operacioni; rikonstruksionin e plotë të bllokut të lindjes, duke rritur parametrat. Dhe ajo që është po kaq e rëndësishme është edhe shërbimi i ri i urgjencës-pranimit”, tha Hyska.
Duke inspektuar laboratorin e ri në Maternitetin ‘Koço Gliozheni’, në kuadër të modernizimit dhe investimit në rrjetin kombëtar të laboratorëve publikë në vend, Manastiliu nënvizoi se ky laborator do të rrisë gamën e analizave.
“Një ndër investimet e tjera është edhe laboratori i ri që tashmë është pjesë e rrjetit të laboratorëve publikë, nëpërmjet partneritetit publik-privat dhe ku tashmë është kryer një investim shumë bashkëkohor, duke rritur gamën e analizave shumë më shumë se çfarë bëheshin më parë”, deklaroi Manastirliu. (A2 Televizion)