Manja shkarkon drejtorin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2021, 16:06 | Aktualitet
Manja shkarkon drejtorin e Shërbimit të Kontrollit të

Ministri i Drejtësisë, Ulsoi Manja, ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve (SHKKB) z. Florent Sulçe. Në vend të tij është emëruar në këtë detyrë Klevis Qose.

Gjatë një takimi të zhvilluar me drejtues të burgjeve në vend, Manja kritikoi ashpër punën e tyre dhe paralajmëroi për shkarkime nëse do të kishte më ankesa nga të burgosurit për cilësinë e ushqimit.

Ai ka kërkuar rregulla strikte për pandeminë e Covid-19, megjithëse ka vlerësuar punën e bërë në menaxhimin e pandemisë brenda burgjeve. Manja kërkoi gjithashtu që çdo burgosur, apo i paraburgosur, duhet të vaksinohet dhe për këtë duhet ndjekur një politikë bindëse brenda institucioneve si dhe transparence me publikun për situatën në vijimësi.

Të shtunën, të burgosurit e dënuar me burgim të përjetshëm në burgun e Peqinit mbyllën grevën e urisë të nisur që prej 5 nëntorit, pasi gjetën gjuhën e përbashkët me drejtorinë e përgjithshme të burgjeve dhe avokatin e popullit.

Ata i kishin dërguar një letër ministrit të Drejtësisë dhe kryeministrit ku i kërkonin rishikimin e mundësisë së lirimit të tyre me kusht kur kanë kryer 25 vite burgim. Për këtë, ata refuzuan ushqimin dhe hynë në grevë urie, ndërsa ministria e Drejtësisë së bashku me Avokatin e Popullit pranuan shqyrtimin e kësaj kërkese brenda tre muajve afat, i cili pritet të paraqitet dhe në Kuvend.

Të dënuarit kërkojnë përafrimin e ligjit me atë europian, ndërsa shprehen se punësimi si mjeti më i fuqishëm për riintegrimin dhe riedukimin mungon. Ata  shkruajnë në letrën drejtuar institucioneve shqiptare se bibliotekat që ishin në klasat e sektorëve u shkatërruan dhe jo pa qëllim. Shkollimi mungon, çdolloj aktiviteti mungon, përveçse  një herë në 2 javë loja e futbollit dhe një herë në javë mësimi i fesë. Pakënaqësi ka dhe në ofrimin e së njëjtit ushqim në këtë burg për 365 ditë të vitit. Në mbyllje, ata kërkojnë dhe mundësinë e lejes si të drejta njerëzore dhe legjitime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos