
Nën drejtimin e deputetes shqiptare, Ermina Lekaj, grupi i Miqësisë me Shqipërinë në Parlamentin e Kroacisë, zhvilloi këtë të mërkurë një sërë takimesh në Tiranë, me qëllim kryesor forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Pritja e parë, delegacionit iu bë nga nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, ndërsa më pas, deputetët kroatë diskutuan mbi rritjen e bashkëpunimit dypalësh me anëtarët e komisionit për politikën e jashtme, si dhe grupin e miqësisë me Kroacinë në parlamentin shqiptar.
“Pati bisedime për një bashkëpunim më të ngushtë jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë ekonomik. Si dhe në mbështetjen e Kroacisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Leak për A2 CNN.
Mbështetjen e parlamentit kroat e shprehu dhe deputeti Eric Fabjaniç, pjesë e delegacionit që vizitoi Shqipërinë. “Në takimet me deputetët, grupin e miqësisë, si dhe presidentin shprehëm mbështetjn tonë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Diskutuam dhe mbi problemet sociale që prekin shoqëritë tona, nga pandemia te kriza në Ukrainë. Krizat lënë hapësira për të rritur më shumë bashkëpunimin mes vendeve. Diskutuam mbi mënyrat me të cilat mund të përshpejtohet procesi i integrimit si për Shqipërinë, ashtu dhe për Maqedoninë e Veriut”, tha Fabjaniç.
Përtej bashkëpunimit politik, palët diskutuan dhe mbi infrastrukturën dhe mundësitë për të lidhur më ngushtë popujt e dy vendeve. “Shpresoj që edhe së shpejti të bëhet linja mes Durrësit dhe Rijekës, u përmend që patjetër duhet të bëhet dhe linja ajrore mes Tiranës dhe Zagrebit dhe kjo është ajo që duhet të na lidhë edhe më ngushtë”, tha Lekaj.
Prej 4 vitesh, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar marrëveshjen e Partneritetit Strategjik, ndërsa takimet mes delegacioneve të të dyja vendeve janë intensifikuar, falë angazhimit të deputetes shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj. (A2 Televizion)