Marrëveshje me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar, Basha: 100 milionë euro subvencione për fermerët

Nga A2 CNN
22 Prill 2021, 10:44 | Politikë
Marrëveshje me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar, Basha: 100

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka nënshkruar një marrëveshje me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar. Basha u shpreh se pas 8 vitesh ngecje në vendnumëro në shumë fusha, ku përfshin dhe sektorin e bujqësisë, ka ardhur koha që fermerët dhe agro-përpunuesit shqiptar të mbështeten me programe serioze.

Sipas kreut të opozitës, ky është sektori më jetik për ekonominë kombëtare dhe ndryshimi më 25 prill shihet në këto marrëveshje që janë garancia e qeverisë së ardhshme që do t’i shërbejë fuqizimit të bujqësisë dhe fermerit shqiptar.

Gjithashtu, Basha tha se me nxitjen përmes programeve për shumëfishimin e ndihmës nga IPARD-i dhe hapja e negociatave brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, do të krijojnë mundësi për subvencione direkte për bujqësinë shqiptare.

“Përmes angazhimit tonë për t’i hapur negociatat brenda 100 ditëve të para të qeverisjes sonë ne e kemi të qartë se nuk bëhet fjalë vetëm për një firmë që unë do të hedh në Bruksel, por bëhet fjalë për hapjen e mundësive që sot fermerët e vendeve të tjera të rajonit i gëzojnë. Në këtë mënyrë për çdo euro që qeveria e re shqiptare do të çojë te fermeri shqiptar, do të kemi të paktën 1 euro ose më shumë nga Bashkimi Europian. Në këtë mënyrë do të arrijmë të subvencionojmë fermerin shqiptar në mënyrë të drejtpërdrejtë, mbështetja do të jetë direkte te fermeri, pa burokraci, duke përdorur modelet më të avancuara për të shmangur abuzivizmin dhe kontaktin me administratën.

Në këtë mënyrë do të bëjmë të mundur që prodhimet tona cilësore, që janë krenaria jonë e duhet të jenë krenaria e ekonomisë sonë, të përbëjnë një bekim edhe për konsumatorin në kuptimin e cilësisë dhe çmimit, edhe për prodhuesin në kuptimin që në vend që të zhytet siç është sot në fakt, në borxhe, të krijojnë mirëqenie personale, familjare, ta kthejnë në një sipërmarrje aktivitetin e tyre si fermerë edhe për industrinë e lidhur me të. Pra, në një bekim për ekonominë shqiptare. Një zgjim kombëtar të ekonomisë shqiptare, të energjive pozitive të këtij sektori, nuk mund ta arrijmë pa bërë të mundur që një sektor kyç, siç është ai i bujqësisë, të marrë të paktën, të njëjtën mbështetje që merr ai në Maqedoninë e Veriut apo në Kosovë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos