Ngjarja e paralajmëruar e Elbasanit, Hajdari: E gjitha ndodhi për shkak të etjes për pushtet

Nga A2 CNN
22 Prill 2021, 09:16 | Politikë
Ngjarja e paralajmëruar e Elbasanit, Hajdari: E gjitha ndodhi për

Kandidatja e Nismës Thurje për qarkun e Elbasanit, Rudina Hajdari ishte e ftuar në "Dita jonë" ku foli për ngjarjen e rëndë të një dite më parë në këtë qytet, ku u vra një person si dhe u plagosën 4 të tjerë, një prej të cilëve ishte efektive policie.

Sipas Rudina Hajdarit, partitë e vjetra në Elbasan kanë lidhje me elemente të krimit të organizuar të cilët qarkullojnë para të mëdha nga trafiku i lëndëve narkotike.

Ajo shtoi se dy drejtuesit politikë të partive të mëdha duhet të kishin dhënë dorëheqjen dhe shprehu habinë për deklaratën e Gazmend Bardhit në lidhje me të ashtuquajturat “struktura të mbrojtjes së votës”.

“Përplasjet në Elbasan nisën që Ditën e Verës. Mbrëmë pamë ngjarjen që tronditi qytetin. Kjo ngjarje do të ketë pasoja. Partitë e vjetra politike janë të gjithë të lidhur me elemente të krimit të organizuar. Pushteti është i kapur nga këto elemente. Këta lëvizin të qetë në qytet, kanë ndikimin e tyre. Aty përpunohet droga dhe më pas eksportohet në vendet e BE-së. Ka tunele të veçanta ku punohet. Droga që përpunojnë krijon shumë para që qarkullon në terren. Ne duhet të shkëputemi nga ky model.

3 partitë kryesore nuk duhet të tregonin muskujt dhe gangsterët. Mendoj se zoti Balla dhe Bardhi duhet të kishin dhënë dorëheqjen dje. Kështu ndodh në një vend normal. Ata nuk e bënë këtë gjë sepse vetëm vetëmbrohen nga ky akt i shëmtuar. Nuk e dimë a do mbarojë me kaq. Kjo ngjarje ndodhi pasi ka një etje për pushtet që nuk është parë më përpara. Dhe këto viktima po shkaktohen pikërisht për shkak të kësaj gare politike”, tha Hajdari në "Dita jonë". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos