
“Vaksinimi është proces i duhur në çdo kohë, veçanërisht tani që jemi para dimrit. Jo vetëm punonjësit e supermarketeve apo të administratës, por të gjithë duhet të vaksinohen”.
Kështu u shpreh në Ditarin e mesditës në A2 CNN, Arben Gjata, rektori i Universitetit të Mjekësisë, teksa foli për pandeminë në vendin tonë.
Sa i përket situatës së stabilizuar në vend, ai u shpreh se mund të ketë ndikuar edhe imuniteti natyror. “Situata vazhdon të jetë e stabilizuar. Ndoshta kjo edhe për arsye të pjesës së fshehur që e kanë kaluar Covid dhe kanë fituar imunitet natyror. Të shpresojmë që këtë vit nuk do të përsëritet dimri i kaluar”.
Sa i përket festave të fundvitit, mjeku theksoi se duhet të sillemi normalisht në kohë Covid-i. “Është shumë e rëndësishme ruajtja e distancës, por mbi të gjitha duhet të vaksinohemi. Vaksina mund të mos të të mbrojë plotësisht nga koronavirusi, por mund të kenë forma të lehta”. (A2 Televizion)