
Maturantët në Durrës po bëhen gati për t’u rikthyer në shkolla për provimet e maturës.
Por, ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe do të vijnë me maska dhe të distancuar.
Por, si është planifikuar vendosja e nxënësve në klasa dhe si janë orientuar ato nga drejtoritë e shkollave?
Orges Mema, drejtor i shkollës “Jan Kukuzeli” në Durrës, shprehet: “Kemi vendosur jashtë piketat me distancë 2 metra nga njëri-tjetri. Edhe në klasa janë respektuar distancat, do të ketë vetëm 9 nxënës për çdo klasë. Gjithashtu, kemi njoftuar nxënësit që të jenë të pajisur me maska, doreza dhe dezinfektantë”.
Edhe pse masat e marra synojnë një ambient sa më të sigurt për maturantët, këto të fundit nuk janë shumë të qetë, për vetë faktin se asnjëherë më parë nuk janë përballuar me një situatë të tillë, sa për rrezikun e shëndetit ashtu edhe për rezultatet, pas një viti të përgjysmuar për shkak të tërmetit dhe pandemisë.
Një tjetër shqetësim i maturantëve mbetet edhe mbrëmja e shumëpritur e maturës: “Mos na prekni fare te kjo pikë”. (A2 Televizion)