Mbesa e infermierit të infektuar në Kukës: Në Itali mjekët i konsiderojnë heronj

Nga A2 CNN
17 Prill 2020, 20:40 | Aktualitet
Mbesa e infermierit të infektuar në Kukës: Në Itali

Mbesa e infermierit të infektuar ditët e fundit me koronavirus në spitalin e Kukësit ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale ndaj të gjithë atyre që e kanë kritikuar të afërmin e saj, sipas të cilëve nuk është treguar i kujdesshëm apo nuk e ka vlerësuar si duhet situatën e krijuar.

Ajo shkruan se në Itali mjekët i konsiderojnë heronj në këto momente lufte përballë pandemisë ndërsa në Shqipëri i anatemojnë edhe në një kohë kur ata nuk iu shmangën asnjëherë detyrës, apo kur fatkeqësisht infektuan dhe persona të tjerë të familjes.

“PO, e kam me ty!

Me ty që thua " ishte mungesē përgjegjësie": Mos harro që po flet për një njeri që u infektua duke mos i ikur PËRGJEGJËSISË.

Me ty që thua "pakujdesi": pyet njëherë mirë, se me siguri ky person (në mos për ty ) është kujdesur një ditë për një njeri tëndin të dashur.

Ti që the: "s'diti të mbante apo të hiqte veshjen": mendon se ky njeri që i deshi TË GJITHË nuk e mendoi familjen e vet (të paktën) kur e mbajti dhe hoqi veshjen?!

Qindra mjek dhe infermier vdiqën në Itali, populli i shndërroi në heronj me aq mundësi sa kishte. Nga shtëpia, nga karantina , nga telefoni, me një status, me një foto! Sepse teknologjia ka bërë te mundur t'i bëjmë heronj ose t'i kryqëzojmë njerëzit nga divani.

Por ti ke zgjedhur të kryqëzosh një infermier që shpëtoi disa jetë. Dhe duke i shpëtuar ato, u infektua për vete dhe infektoi dhe njerëzit më të dashur të tij”, shkruan ndër të tjerë mbesa e infermierit të infektuar me Covid-19.

Sipas të dhënave, infermieri nga Kukësi rezultoi i prekur me koronavirus më 14 prill dhe dyshohet se infektoi dhe 4 familjarë të tij dhe një koleg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos