Vasili: Me testime kaq të pakta, nuk mund të flitet për kurbë

Nga A2 CNN
17 Prill 2020, 20:30 | Aktualitet
Vasili: Me testime kaq të pakta, nuk mund të flitet për

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një lidhje direkte me “Ditari” në A2 deklaroi se në Shqipëri nuk mund të flitet për kurbën e Covid-19, pasi, sipas tij, testimet e kryera janë shumë të pakta.

“Kur testimet janë shumë të pakta, nuk mund të dimë se ku e ka fillimin apo pikun kurba. Duke mos pasur strategji testimi, janë kapur vetëm raste sporadike. Ende nuk e dimë se kur ishte piku, askush nuk e thotë dot”, u shpreh Vasili.

“Kurbën e Shqipërisë nuk mund ta gjeni gjëkundi dhe kjo nuk ka asnjë mundësi shkencore që të ekzistojë, por ky është thjesht një manipulim për shkak të testimeve shumë të pakta që kanë pasur si qëllim vetëm e vetëm fshehjen e të vërtetës”, shtoi nënkryetari i LSI-së.

Vasili shtoi se “qeveria duhet të kishte siguruar tampone” që në fillim.

“Kjo është papërgjegjshmëri e tmerrshme shtetërore. Duhen bërë testime, por duke qenë se nuk po bëhen, merren këto masa idiote që mbyllin një fundjavë njerëzit në shtëpi, në një kohë kur kanë lëvizur gjithë javën”, deklaroi Vasili.

Në fund, Vasili vuri në dukje edhe faktin se në kurbën e paraqitur nga Ministria e Shëndetësisë sot, doli rasti i parë më 28 shkurt: “Ky është skandal. Kanë qenë 10 ditë kur ne kemi pasur pandeminë, por rastet janë fshirë. Deri në datën 7 mars, Rama thonte mos hapni panik”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos